E cilësuar si surpriza e sezonit, Teuta ka humbur shumë nga shkëlqimi i 3 fazave të para. Skuadra bregdetare ka grumbulluar vetëm 2 pikë në 5 takimet e fazës së katër, pa përfshirë fitoren në tavolinë ndaj Kamzës, 3-0.

Pra, 5 pikë që e mbajnë ende në lojë për një vend në Kupat e Europës. Gjithsesi, në kah të kundërt me ta kanë qënë dëmtimet. E njëjta histori pritet të ndodh edhe në takimin e kësaj fundjave kundër Skënderbeut, ku Traore dhe Vajushi janë dy futbollistët që kanë shfaqur probleme fizike.

Ata pritet të mungojnë për duelin ndaj korçarëve, por megjithatë, Bledi Shkëmbi është i bindur se mund t’i ketë të gatshëm për këtë 90 minutësh deciziv për fatet e sezonit. Aktualisht dy skuadrat mbajnë vendet 4 dhe 5, përkatësisht me 48 dhe 46 pikë.

Durrsakët janë me pikë të barabarta me Flamurtarin e një vendi që të dërgon në Europë, teksa Skënderbeun e ndajnë vetëm 3 pikë nga “habitati” i viteve të fundit./newsport/