Gjeografia e sportistëve shkodranë dhe veriorë që luajnë jashtë Shqipërisë shtohet edhe më tej. Janë djem të rinj të cilët janë inkuadruar në ekipe të ndryshme ku po mundohen të tregojnë aftësitë e tyre dhe padyshim që po e bëjnë mirë këtë gjë.

I rradhës për të cilin po shkruajmë sot është Valerio Todaj, me origjinë nga Stërbeqi i Malësisë së Madhe. Luan si mesfushor i majtë, është i datëlindjes 2003 dhe 1.80 metra i gjatë.

Todaj aktualisht është pjesë e ekipit “Allievi” të Legnanos, provincë e Milanos dhe dallohet për disa të dhëna mjaft të mira.

Jo më kot vlerësohet si lojtari kryesor i skuadrës së tij dhe madje po spikat edhe si shënues, ndonëse luan në mesfushë por ka arritur të shënojë plot 34 gola këtë sezon.

Por Todaj nuk është i vetmi shqiptar tek ky ekip. Bashkë me të luajnë edhe Kola nga Shkodra dhe Zana nga Durrësi. Madje, nisur nga performanca e mirë e tyre janë grumbulluar edhe me ekipin e të rriturve të Legnanos.

Todaj në veçanti konsiderohet një lojtar me shumë të ardhme dhe me siguri që në të ardhmen do të dëgjojmë lajme të mira rreth tij.
Engjell GJOLAJ
Itali, 3 qershor 2019