Problematikat me trajnerët kanë qenë të pranishme gjithmonë në futbollin tonë. Kjo pasi ‘valsi’ i pankinave ka qenë gjithmonë i pranishëm në futbollin tonë dhe një trend i tillë ka vijuar edhe këtë sezon. 50% e skuadrave të Superiores i kanë ndërruar trajnerët e fillim sezonit deri më tani, madje ka pasur nga ato skuadra që kanë ndërruar trajnerin edhe dy herë.
Kukësi është skuadra për rekord deri më tani, verilindorët e nisën me Skënder Gegën, më pas vijuan me Dobin e ndërsa tashmë në krye të skuadrës është Rrahman Hallaçi. Edhe skuadra e Laçit që e nisi sezonin me të rikthyerin Vukicevic, e largoi malazezin për të vendosur në krye të skuadrës Mezanin.
Përjashtim nuk bën as Egnatia, që këtë edicion ka ambicie të mëdha dhe për ti plotësuar këto ambicie hoqi nga pankina Tetoven e për të vendosur në krye një ekspert si Duro. Kastrioti po ashtu largoi një nga trajnerërt më ‘jetëgjatë’ në këtë periudhë siç është Çela, për të emëuar Memen.
Teuta gjithashtu largoi Shkëmbin, për të ritkhyer në stol trajnerin më të suksesshëm të historisë së tyre, Edi Martinin. Nga skuadrat që ende nuk kanë pasur dyshime për trajnerët janë 3 ekipet pretendente këtë sezon si: Vllaznia, Tirana dhe Partizani që vijojnë ti besojnë projektit të nisur që në fillim të edicionit.
Po ashtu vlerësime ka edhe për Xhevahir Kapllanin që po drejton me mjaft sukses ekipin e Erzenit që realisht ka qenë një surprizë shumë e bukur këtë kampionat. I çuditshëm duket fakti se drejtuesit e Bylis kanë qenë shumë të duruara deri më tani dhe pavarësisht luhatjeve të shumta të skuadrës, deri më tani i kanë besuar totalisht trajnerit, Bellai.
Endri ÇINARI