Nga Endri ÇINARI

Vllaznia ka pasur një sezon plot ulje e ngritje në këtë përfundim të fazës së parë në Superiore. Shkodranët nuk kanë ditur të gjejnë stabilitet, duke qenë kështu aktualisht në vendin e 5-të me 9 pikë. Por kuqeblutë duket se në këtë sezon po i varin fatet vetëm nga këmbët e një futbollisti.

Fjala është për Bekim Balajn, ku tashmë edhe kapiten i skuadrës po jep më të mirën për kuqeblutë. Në 7 javë, shtatlarti e ka gjetur rrjetën 6 herë, duke qenë golashënuesi i kampionatit së bashku me Dwamenan. Një formë e shkëlqyer kjo e Balajt, por kur 32-vjeçari nuk është në formë, vija sulmuese nuk shënon.

Këtë e vërtetojnë shifrat sepse tek Vllaznia në 7 javë kanë shënuar vetëm 3 futbollistë. Nga 9 golat e shkodranëve, 6 kanë autorësinë e Balajt, 2 janë shënuar nga Boshnjaku dhe 1 herë ka gjetur rrjetën Stojanoviç. Një shtrirje e vakët e golit tek ekipi i Memellit, ku të gjithë sytë duket se janë tek Balaj.

Emra si: Mala, Gruda, Çoba apo edhe ndonjë tjetër që janë pjesë e fazës sulmuese ende nuk kanë gjetur gol këtë edicion. Patjetër që në javët në vijim duhet zhbllokimi i individëve të tillë. Kjo për të lehtësuar ndoshta edhe peshën e përgjegjësisë ndaj Balajt, por edhe për të përmirësuar rezultatet e kuqebluve.