Superliga e Kosovës ka dy javë që ka nisur por në fakt ajo nuk ka startuar ashtu si duhet për tre futbollistët shkodranë që janë pjesë e Flamurtarit të Prishtinës. Në ndeshjen e djeshme, atë ndaj Prishtinës, të vlefshme për javën e dytë të kampionatit, Flamurtari është mundur në fushën e tij me rezultatin 2-0.

Nga tre shkodranët, titullar ka qenë vetëm portieri Hallunaj i cili ka mbrojtur portën e skuadrës së tij për 90 minuta por ka qenë i pafat sepse në dy raste është ndëshkuar (në njërin nga ish- futbollisti i Partizanit Mentor Mazrekaj me 11-metërsh) Nga ana tjetër sulmuesi Jurgen Gjini është aktivizuar vetëm në 10 minutat e fundit të ndeshjes ndërsa mbrojtësi Erbet Hotaj nuk ka luajtur për asnjë minutë. Flamurtari debuton në Vala- Superligë këtë sezon dhe nuk e ka nisur mirë kampionatin me dy humbje në dy javët e para. Kujtojmë se sezonin e kaluar skuadra drejtohej nga shkodrani Samuel Nikaj i cili e kurorëzoi si kampione të kategorisë së parë dhe e ngjiti në mes ekipeve më të mira të Kosovës por më pas u largua sepse nuk gjeti akordin me drejtuesit e klubit. Sakaq tre futbollistët kanë qëndruar sërish aty por vetëm Hallunaj po luan si titullar me trajnerin e ri Agron Selmani ndërsa Gjini e Hotaj kanë përfunduar në stol.

© shkodrasport.com