Trajneri i Vllaznisë në prononcimin e sotëm për gazetarët në Ulqin, ka folur edhe për çështjen “Vujadinoviç”. Ai nuk e ka quajtur shkëmbim idenë e ndërrimit të tij me Moçkën por e ka shpjeguar në këtë mënyrë këtë gjë: “Nuk është e vërtetë që ka qenë ideja për një shkëmbim. Unë kam informacione që Vujadinoviç ka kërkuar që të largohet nga skuadra. Sigurisht që unë kam thënë se në qoftë se ai shkon tek Vlora atëherë të na afrohet Moçka. Nuk është që domosdoshmërisht duhet të mbajmë një lojtarë me zor tek Vllaznia në qoftë se ai nuk ka dëshirë të sakrifikojë e të punojë për këtë skuadër”.
Indirekt, trajneri i kuqebluve mendon që edhe sot, nëse portieri që ai ka në dispozicion nuk e ka me dëshirë të luajë për Vllazninë, do ishte më mirë të largohej. Megjithatë gjërat duket se kanë ndryshuar tashmë. Vujadinoviç ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit shkodran për të rinovuar edhe për sezonin tjetër. Po pse nuk luan aktualisht ai? Vata thotë se portieri tashmë vuan nga një dëmtim në “tendinën e Akilit” dhe do t’i duhet pak kohë të rikuperohet. Me probleme të tilla të tij dhe pasigurinë e madhe që shoqëron portierin tjetër Gjokoviç, e tregoi këtë edhe në miqësoren e sotme kur gaboi në rastin e golit të Luftëtarit, Vllaznia duket se ka jo pak probleme për momentin edhe në portë.
www.shkodrasport.com