Kategoria e Parë vazhdon të shohë ndryshime të shumta trajnerësh në këtë fillim sezoni, pasi skuadrat që nuk kanë nisur edicionin ashtu siç shpresonin, kanë bërë lëvizje të vazhdueshme në pankina, edhe pse kanë luajtur shumë pak ndeshje. Një tjetër klub i Grupit A të Kategorisë së Parë ka bërë të ditur sot se ka larguar nga drejtimi trajnerin.

Egnatia njoftoi se Ndriçim Kashami nuk ishte më trajneri i klubit të qytetit të Rrogozhinës. Nën drejtimin e tij, skuadra kishte fituar vetëm 2 nga 6 ndeshjet e luajtura në këtë sezon, ndaj në klub është parë e arsyeshme që të nisin kërkimin për një trajner të ri për vazhdimësinë e sezonit, ku si objektiv kryesor do të jetë sigurimi i pranisë në katërshen më të mirë, atë që do të luftojë për ngjitjen në Superiore.

“FK Egnatia ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Ndriçim Kashami. Pas rezultateve të dobëta drejtuesit kane vendosur të ndërpresin bashkëpunimin. FK Egnatia falënderon Kashamin për periudhën e bashkëpunimit dhe i uron suksese në vijim.

Drejtuesit janë në negociata për të gjetur trajnerin e ri”, ishte njoftimi i rrogozhinasve që dekretoi ndryshimin e radhës në Kategorinë e Parë. /vipsport/