Merkatoja e janarit është mbyllur zyrtarisht para disa ditësh dhe kjo merkato nuk ka sjellë ndryshime te skuadra e Veleçikut. Kështu, rrjedhimisht gjërat vështirësohen për ta për të qenë në mes ekipeve pretendente për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.
Në fakt, te koplikasit priteshin që të vinin disa lojtarë si përforcime për Veleçikun, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Në skuadrën e drejtuar nga trajneri Haris Lika, luajnë disa lojtarë me emër, siç janë, Balaj, Çokaj, Banushaj, apo edhe dyshja e sulmit, Dibra-Hajdari, që më parë kanë luajtur për Vllazninë, të cilët deri më tani e kanë ndihmuar shumë skuadrën e tyre.
Ndeshjen e parë për këtë vit, koplikasit do ta kenë të shtunën ndaj Klosit, teksa Veleçiku ndodhet në vendin e katërt aktualisht dhe nuk do ta lëshojë atë vend, duke shpresuar kështu në marrjen e një rezultati pozitiv këtë ndeshje.
Maringlen ZHIVANI