Ashtu si në shumë skuadra të tjera edhe tek Veleçiku të gjithë janë me pushime në këtë peridhë. Për rrjedhojë, asnjë nga drejtuesit nuk ka asnjë plan se çfarë do të ndodhë me skuadrën në sezonin e ri. Gjetja e lojtarëve mund të jetë një proces i lehtë sepse ekipi e ka bazën e tij dhe po ashtu, shumë të tjerë mund të lihen të lirë ndoshta nga Vllaznia apo ekipe të tjera të Veriut, ashtu siç ka ndodhur gjithnjë dhe do të përfundojnë në Malësi të Madhe.

Shqetësimi kryesor i drejtuesve është mungesa e infrastrukturës. Bashkia e këtij qyteti ka premtuar se stadiumi i ri do të jetë gati në janar të vitit të ardhshëm, por përderisa ende nuk ka asnjë veprim, një premtim i tillë duket thjesht elektoral.

Por Veleçiku problem nuk ka vetëm fushën ku do t’i luajë ndeshjet sepse sërish mund të ketë një akord me Bashkinë Shkodër për të patur në dispozicion fushën “Reshit Rusi”. Mungesa edhe e një fushe në parametra normalë për stërvitje, e ka penalizuar jo pak ekipin.

Ndërtimi i kompleksit sportiv mund t’i jepte zgjidhje edhe kësaj çështje megjithatë çdo gjë deri tani është në kuadrin e fjalëve dhe premtimeve.

Veriu i Shqipërisë padyshim që e ka mëse të domosdoshme praninë e një ekip në kategorinë e parë, madje tashmë bashkë me Tërbunin bëhen dy, sepse ka shumë lojtarë të rinj të cilët duke mos gjetur hapësirën e duhur tek Vllaznia apo ekipe të tjera të Superligës, mund të vazhdojnë karrierën e tyre aty. Prandaj dhe Veleçiku mund të përfitojë nga kjo gjë, por më parë duhet të rregullojë problemin e infrastrukturës.