Veleçiku e ka mbyllur në vendin e shtatë të renditjes gjysmën e parë të kampionatit, por duke qenë shumë pranë zonës së ftohtë të saj, që e çon atë një kategori më poshtë. Në 12 ndeshjet e zhvilluara, ky ekip ka arritur të marrë vetëm 11 pikë dhe ky është treguesi më i mirë i gjendjes jo të mirë të tij.

Në këtë ecuri kanë ndikuar shumë faktorë. Duke nisur nga gabimet e vetë skuadrës në fushë në ndeshje të caktuara, për të vijuar me dënimin e Veleçikut nga Komisioni i Disiplinës për t’i luajtur katër ndeshje pa praninë e tifozëve e për ta mbyllur me gabimet e arbitrave në disa prej takimeve.

Shtoji të gjithë këtyre edhe luajtjen e ndeshjeve jo në Koplik por në Shkodër dhe padyshim që të gjithë këto faktorë kanë ndikimin e vet në këtë ecuri. Por objektivi i drejtuesve dhe të gjithë pjestarëve të Veleçikut është që skuadra të sigurojë edhe sivjet qëndrimin në kategorinë e parë.

Për ta arritur këtë gjë, padyshim që në rradhë të parë duhet ndërhyrje në skuadër. Ajo ka nevojë për lojtarë të tjerë cilësorë, në të tre repartet dhe trajneri Besnik Duli ua ka bërë të qartë këtë gjë drejtuesve të klubit. Problemi është gjetja e tyre sepse siç dihet, në këtë periudhë shumica e lojtarëve janë nën kontrata.

Por nëse koplikasit nuk përforcohen, padyshim që ata do të rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria. Mbështetja e dhënë nga klubi, e cila ka qenë më e madhe se çdo vit tjetër, duhet të shoqërohet edhe me rezultatet në fushën e lojës sepse paraqitja e deritanishme nuk e justifikon këtë gjë.

Të gjithë e dinë se çfarë duhet bërë dhe puna tashmë është për të vepruar sa më shpejt. Nëse një sezon më parë, Veleçiku shpëtoi nga rënia vetëm në ndeshjen e fundit, kjo gjë nuk duhet përsëritur edhe sivjet.
www.shkodrasport.com