Vetëm 5 vende në botë nuk kanë ndërprerë aktivitetet sportive në këtë kohë të përhapjes së Covid-19. Nikaragua është vendi që po i reziston më mirë se të gjithë koronavirusit, të paktën sipas asaj që thonë autoritetet shtetërore.

Në Nikaragua deri tani regjistrohen vetëm 12 të infektuar dhe 3 të vdekur nga virusi i rrezikshëm, ndërsa jeta vazhdon normalisht pa asnjë lloj kufizimi, edhe pse me disa masa të shtuara sanitare.

Aty është ndër të paktat vende ku futbolli nuk është ndalur, ndërsa vazhdojnë normalisht edhe sportet e tjera, si për shembull boksi.

Në kryeqytetin e Nikaraguas, Managua, janë zhvilluar ndeshjet e boksit profesionist në një situatë larg normales. Organizatorët kishin ndërmarrë masa të forta sigurie, si me matjen e temperaturës në hyrje të sallës, ndërsa të gjithëve u dezinfektoheshin duart.

Pjesa më e madhe e stpektatorëve ishte me maska, ndërsa edhe boksierët mbërritën duke mbajtur të tilla në ring, ku më pas i hoqën gjatë ndeshjes. Gjyqtari mbante maskë, ashtu si edhe bukuroshet e ringut që tregonin raundet.

Situata ishte padyshim e pazakontë, por organizatorët bënë të qartë se për sa kohë që qeveria nuk e pengonte, nuk kishin ndër mend që të ndalonin dyluftimet. Popullata nuk është se i beson aq shumë sigurisë së lartë në evenimente të tilla në salla të mbyllura, pasi edhe pse me shumë bileta të shpërndara falas, as gjysma e sallës nuk u mbush, ndërsa spektatorët rrinin të distancuar nga njëri-tjetri.

Në fakt, kjo është pasojë e besimit që në Nikaragua virusi është shpërndarë gjerësisht, por qeveria vendase nuk raporton shifrat reale, duke u bërë shpesh objekt kritikash i organizatave ndërkombëtare./konica/