Sunday, January 11, 2026
FAQJA E PARE PA KATEGORIVendimi absurd/ Federata e Basketbollit dyfishon gjobat për shkeljet disiplinore

Vendimi absurd/ Federata e Basketbollit dyfishon gjobat për shkeljet disiplinore

Federata Shqiptare e Basketbollit e ka nisur vitin 2026 duke marrë disa vendime të rëndësishme në lidhje me disiplinën në garat e saj. FSHB ka ashpërsuar ndjeshëm sanksionet për sjelljet josportive dhe cenimin e zyrtarëve të ndeshjes. Vendimi është marrë nga Komiteti Drejtues i FSHB-së pas shqyrtimit të problematikave të përsëritura gjatë zhvillimit të kampionateve. Sipas FSHB-së, qëllimi i këtyre masave është parandalimi i sjelljeve të papranueshme, rritja e përgjegjshmërisë së lojtarëve dhe trajnerëve, si dhe forcimi i respektit ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes.

Këto padyshim që në pamje të parë janë vendime të ekzagjeruara duke ditur që rroga e shumicës së basketbollistëve dhe basketbollisteve janë shumë të vogla dhe një dënim i tillë duket i ekzagjeruar, paçka se normalisht ato duhet të paguhen nga ekipet dhe jo sportistët.

RRITJE E NDJESHME E GJOBAVE PËR SJELLJE JOSPORTIVE

Sipas ndryshimeve në Nenin 14 – Dënimet për sjellje josportive, FSHB ka vendosur rritjen e ndjeshme të gjobave financiare: Gjoba për gabim teknik të lojtarit tashmë 8.000 lekë, nga 4.000 lekë që ishte më pare. Gjoba për gabim përjashtimi të lojtarit bëhet 20.000 lekë, nga 10.000 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, gabimi teknik i trajnerit ose stolit bëhet 20.000 lekë, ndërsa më parë ishte 10.000 lekë për trajnerin dhe 4.000 lekë për stolin. Gjithashtu gabimi i përjashtimit për trajnerin ose stolin rritet në 30.000 lekë, nga 15.000 lekë që ishte më parë. Pra FSHB ka vendosur që të dyfishojë të gjitha gjobat.

MASA SHTESË DISIPLINORE

Përveç gjobave financiare, janë parashikuar edhe masa shtesë disiplinore: Në rast përjashtimi, lojtari ose trajneri nuk ka të drejtë të marrë pjesë në ndeshjen pasuese të kampionatit. Në rast të gabimit teknik të dytë brenda të njëjtës fazë të kampionatit (Faza I, Faza II, “Play Off” ose “Final Four)”, lojtari ose trajneri, përveç gjobës, pezullohet nga ndeshja pasuese. FSHB thekson se respekti ndaj zyrtarëve është detyrim, ndërsa disiplina mbetet garanci për mbrojtjen e lojës së basketbollit.

PROCEDURA E ANKIMIMIT FSHB

ka sqaruar gjithashtu procedurën e ankimimit për ekipet që pretendojnë pasaktësi në dhënien e gabimeve teknike apo përjashtimeve: Ankimimi duhet të paraqitet brenda 24 orëve nga përfundimi i ndeshjes. Ai duhet të shoqërohet detyrimisht me: një relacion shpjegues të rastit; pamje filmike përkatëse; mandat pagese për tarifën e ankimimit prej 5.000 lekësh. Ankimimet e paplota ose të paraqitura jashtë afatit nuk merren në shqyrtim.

VENDIMMARRJA

Komisioni i Gjyqtarëve shqyrton ankimimin dhe merr vendim brenda 72 orëve nga depozitimi i plotë i dokumentacionit. Komunikimi dhe dorëzimi i ankimimeve kryhet vetëm përmes kanaleve zyrtare të FSHB-së. Këto vendime kanë fuqi zbatuese për të gjitha kategoritë dhe nivelet e garave të organizuara nga Federata Shqiptare e Basketbollit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments