Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Një tjetër situatë e diskutueshme vjen nga Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, duke ngritur pikëpyetje mbi koherencën e vendimmarrjes në administrimin e garave. Për shkak të kushteve atmosferike të pafavorshme, FSHF vendosi të afrojë ndeshjen e ekipit të parë të Skënderbeut, duke ndryshuar kalendarin e Kategorisë së Parë dhe duke marrë masa parandaluese për zhvillimin normal të takimit.
Megjithatë, e njëjta qasje nuk është ndjekur për ndeshjet e moshave. Dy ekipet e Akademisë Vllaznia, U-17 dhe U-19, janë detyruar të udhëtojnë drejt Korçës pa një vendim të qartë dhe përfundimtar nëse ndeshjet e tyre do të zhvillohen apo do të shtyhen. Kjo ka krijuar një situatë pasigurie totale për klubin, stafet teknike dhe vetë futbollistët e rinj.
Përballë kësaj paqartësie, Akademia Vllaznia i është drejtuar zyrtarisht me një shkresë Federatës Shqiptare të Futbollit, duke kërkuar informacion të saktë në lidhje me fatin e këtyre takimeve. Deri në këtë moment, mungesa e një konfirmimi zyrtar ka sjellë vështirësi të panevojshme, duke shtuar shpenzimet, lodhjen fizike dhe organizative për akademinë shkodrane.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, në orët e fundit, Sektori i Garave pranë FSHF ka sjellë një kërkesë për Akademinë Vllaznia, e cila duhet të udhëtojë drejt Korçës, pavarësisht faktit që nuk dihet akoma nëse ndeshjet do të luhen apo jo. Ky standard i dyfishtë në vendimmarrje nxjerr në pah trajtimin e pabarabartë mes ekipeve të rritura dhe atyre të moshave, si dhe mungesën e një planifikimi në rastet kur kushtet atmosferike ndikojnë në zhvillimin e ndeshjeve. Një situatë që kërkon reflektim dhe reagim më të përgjegjshëm nga institucionet drejtuese të futbollit shqiptar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


