Ashtu siç ishte paralajmëruar, ditën e djeshme në Vau Dejës të Shkodrës është zhvilluar Asambleja e Jashtëzakonshme e Federatës Shqiptare të Xhudos. Janë bërë zgjedhet e reja të saj dhe në fund, është vendosur që presidenti I ri I kësaj Federate të jetë Veli Drizi ndërsa për postin e sekretarit është propozuar Sulejman Zhaboli. Sigurisht që në këtë Asamble të Jashtëzakonshme nuk kanë marrë pjesë drejtuesit aktualë të saj si dhe 3-4 ekipe të tjera megjithatë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e ekipeve të Vllaznisë (si klub kampion me të drejtë ligjore për dy vota si ekip kampion), Tirana, Dinamo, Klub Judo “Anton Shkoza”, Laçi, Vau Dejësi, Ippon Tirana, Don Bosko, Santa Maria dhe kolegjiumi I gjyqtarëve.


Ka qenë inisiatori I thirrjes së kësaj Asambleje, mjeshtri I njohur Anton Shkoza që ka shpjeguar edhe njëherë për të pranishmit shkaqet që çuan në thirrjen e kësaj Asambleje të Jashtëzakonshme duke shpjeguar me hollësi thyerjen e rregulloreve dhe statutit të Federatës disa herë nga drejtuesit e mëparshëm apo dhe abuzimet financiare të tyre. Pas kësaj, është kaluar në diskutime të tjera, për të vazhduar pastaj me votimet. Pas votimit të bërë, ka rezultuar se kryesia e re e Federatës do jetë e përbërë nga Veli Drizi, që më pas u zgjodh edhe në postin e presidentit të Federatës, ndërsa anëtarë të tjerë të kryesisë do jenë Aurora Shkoza, Florind Tanushi, Paulin Cera dhe Erind Cara. Po ashtu, është rënë dakord që Aurora Shkoza të caktohet edhe si zëvendëspresidente e Federatës Shqiptare të Xhudos. Nga ana tjetër, kryesia e re ka propozuar për sekretar të saj Sulejman Zhabolin dhe propozimi përkatës I është dërguar Ministrisë bashkë me gjithë dokumentacionin tjetër të kësaj Asambleje, për miratim. Anton Shkoza ndërkohë është zgjedhur sërish në postin e presidentit të nderit të kësaj Federate dhe njëkohësisht do mbajë edhe pozicionin e drejtorit teknik, poste këto që ka patur edhe përpara se tek Federata e xhudos të krijohen problemet e fundit. Në Asamblenë e djeshme ndërkohë, në emër të Federatës Shqiptare të Xhudos I është bërë një propozim Bashkisë të Laçit të Kurbinit për t’I dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi”, ish- mundësit të njohur dhe tashmë trajnerit të xhudos Ram Kasmi. Kësisoj pas zgjedhjeve të djeshme, me shumë siguri edhe sporti I xhudos do të hyjë në një rrugë pa krye për të gjetur drejtuesit e vërtetë të tij dhe mbase vetëm gjykata do ta ndajë këtë gjë.
Gjergj KOLA