Gilman Lika është i pavendosur për të ardhmen. Për gazeten, ai tregon ofertën e marrë nga Shkodra. Mesfushori rrëfen se vetëm pas 31 korrikut do ta zgjedhë ekipin e tij të ri. “Për momentin gjithçka është pezull. Mund të them vetëm se do të huazohem në Korçë për takimet e Ligës së Kampioneve. Do të bëj më të mirën për këtë skuadër dhe për besimin që drejtuesit më dhanë. Ndërsa për një kalim definitiv timin për sezonin e ardhshëm me këtë ekip nuk mund të them asgjë. Unë jam lojtar i Tiranës, dhe kontrata ime me këtë klub skadon më 31 korrik. Vetëm pas kësaj date mund të ketë diçka konkrete. Por para se të vendos diçka, fillimisht duhet të ulem me drejtuesit bardheblu për të biseduar, sepse kam një opsion me mundësi rinovimi”, – tha shkodrani.


Në drejtim të Likës mësohet se kanë ardhur edhe oferta të tjera. Jo vetëm Vllaznia, Tirana e Skënderbeu kanë bërë oferta konkrete në adresë të tij, por edhe skuadra të tjera brenda e jashtë Superligës kanë shprehur interesim për lojtarin e ekipit kryeqytetas. Vetë kapiteni i bardhebluve e konfirmon një gjë të tillë, ndonëse pa përmendur emra konkretë. “Natyrisht që kam oferta si nga ekipe të tjera brenda vendit, por edhe jashtë. Nuk dua që të ndalem dhe të them emrat e skuadrave. Brenda Superligës emrat e Tiranës, Vllaznisë, por edhe Skënderbeut janë evidentë. Sa i përket ekipeve të huaja, nuk mund të them asnjë fjalë, përveç atyre që janë publikuar tashmë. Nuk kam vendosur akoma për të ardhmen time në sezonin e ri”, – mbyllin deklarimin e tij mesfushori shkodran, Gilman Lika.

 

Admir URUÇI