Dinamo ka marrë një fitore shumë të vlefshme në ditën e sotme teksa mposhti në kryeqytet një rivalë të drejtpërdrejtë si Burreli.

Kryeqytetasit në fakt vuajtën shumë përballë matjanëve, të cilët patën edhe shumë raste të pastra për të shënuar por nuk konkretizuan para portierit Bakaj.

Nga ana tjetër, dalja me karton të kuq e Sefgjinit në pjesën e dytë ndikoi për keq te Burreli, të cilët nuk ia dolën të ruanin të paktën barazimin dhe në minutën e 92, Ortelani i ndëshkoi.

Pas kësaj fitoreje, të besuarit e trajnerit Olsi Uku ruajnë kryesimin me 41 pikë, ndërsa Burreli zbret në vendin e tretë me 37 pikë.

Nga ana tjetër, Korabi ka fituar bindshëm me rezultatin 3-1, teksa dibranët të udhëhequr nga Skuka që shënoi dy gola, ngjiten në vendin e dytë me 39 pikë dhe në javën e ardhshme do të provojnë të mposhtin edhe Dinamon për të marrë vendin e parë. Ndërkaq, Vora është e shkëputur në vendin e katërt me 21 pikë. /VipSport/