Eshtë luajtur sot ndeshja Shkodra-Internacional Tirana, takim i vlefshëm për Superioren e moshave U19. Kështu, Shkodra fitoi në shtëpi ndaj Internacional Tiranës, në një ndeshje që prodhoi 3 gola, me Shkodrën që tashmë është e rënditur në vendin e pestë.
Në fillim, ndeshja nisi në favor të Internacional Tirana që shënuan me anë të Kote, por në fund fitorja u ka buzëqeshur lojtarëve të Shkodrës. Skuadra shkodrane e drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi ka qenë më e qartë në lojë, teksa ekipi ia arriti për ta administruar ndeshjen. Vetëm pas shtatë minutash pas golit të shënuar nga Internacional Tirana, Shkodra arriti të barazojë nga pika e bardhë e penalltisë me Kaçaj.
Pjesa e parë, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, nuk prodhoi gol tjetër. Në pjesën e dytë, në minutën e 70-të, goli i Kodrës vulosi fitoren e vendasve. Kështu, pas kësaj fitoreje, Shkodra renditet në vendin e pestë me 17 pikë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, ecuria e Shkodra U17 në javët e fundit nuk ka qenë aspak e mirë dhe kjo u shoqërua me disa rezultate negative. U shpresua që sot gjërat të ndryshonin, por nuk ka ndodhur kështu. Në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Zmijani” ndaj Internacional, ekipi shkodran është mundur me rezultatin 0-2.
Ndeshja nisi me dëshirën e Shkodrës për ta fituar këtë takim, por nuk ka vazhduar kështu. Pjesa e parë do të mbyllej pa gol, por në të dytën kanë qenë miqtë ata që kanë kaluar në avantazh. Ka qenë pikërisht minuta e 57-të, kur Iliazi ka dërguar topin në rrjetën e portës së Shkodrës.
Megjithatë, deri në fund do kishte vend edhe për një gol tjetër nga Internacional Tirana, që shënon edhe golin e dytë me anë të Tresës. Përfundimisht 2-0 për Internacional, ndërkohë që Shkodra mbetet sërish në kuotën e 22 pikëve dhe ndodhen në vendin e pestë të renditjes.
Maringlen ZHIVANI