Sezonin e kaluar, fantazisti brazilian Victor ishte pjesë e Vllaznisë, ndërsa kosovari Esat Mala ishte pjesë e Partizanit. Megjithatë, me dëshirën e tyre këtë sezon, ato pranuan ofertat e klubeve në fjalë, Victor për të kaluar me Partizanin dhe Mala për tek Vllaznia.

Realisht, bëhet fjalë për dy futbollistë cilësorë dhe titullarë në skuadrat e tyre, duke qenë pika kyçe në 11-shen e ekipeve të Vllaznisë dhe Partizanit. Ndërkohë, nesër ato do të jenë sërish në formacionet e skuadrave të tyre për sfidën e javës së shtatë të Superiores, Vllaznia-Partizani.

Për këta dy individë është pyetur më konkretisht edhe trajneri i shkodranëve, Mirel Josa, duke qenë se i ka pasur nën urdhrat e tij që të dy, Victor sezonin e kaluar dhe Malën këtë sezon, që të dy tek kuqeblutë. Josa u shpreh se braziliani ka dhënë një kontribut të madh te Vllaznia për dy vite, duke thënë se ai ishte lojtar formacioni, ndërsa për Malën theksoi se e ka afruar në ekip pa u menduar dy herë për një gjë të tillë.

“Nuk më intereson shumë të flas për individë. Victor është futbollist që ka dhënë kontributin e tij te Vllaznia për dy vite. Edhe gjatë kohës kur unë isha në drejtimin e skuadrës, që gjatë dy javëve ne zhvilluam dy ndeshje, dy në kampionat dhe një finale Kupe, Victor ishte futbollist formacioni. Ai bëri zgjedhjen e tij, klubi bëri zgjedhjen e vet, që shkoi te Partizani më vonë. Para Partizanit shkoi një periudhë në Qipro. Kështu që, brazilianit Victor i uroj suksese kudo që të shkojë. Tani qëlloi që të ishte me Partizanin.

Për Malën, kur më erdhi mundësia për ta marrë, e kam marrë pa u menduar dy herë. Pozitiv është fakti që Mala po jep me skuadrën tonë që nga momenti i parë dhe është integruar ashtu siç duam ne. Mala është një djalë që aftësitë që ka, i ka treguar, qoftë me Partizanin, qoftë në Kosovë, ai i ka treguar cilësitë që ka. Kjo nuk do të thotë që unë i pres të gjitha nga Esati, unë pres nga e gjithë skuadra ime, që të bëjë më mirë se në ndeshjen në Durrës ndaj Teutës”, u shpreh trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI