Klubi i Vllaznisë administrohet në masën 100% nga Bashkia Shkodër dhe pas një sezoni të vështirë në Kategorinë e Parë, është pranë rikthimit në Superiore. Por për shkak të kërcënimeve, trajneri i sapoemëruar Agim Canaj, ka lënë skuadrën dhe prej dy ditësh tashmë nuk shvillohet stërvitja.

Sipas kryetares të Bashkisë Voltana Ademi, kjo vjen edhe për shkak të presionit politik. “Fakti që ne po rritemi dhe po përgatitemi për të qenë konkurrues, për shkak se Vllaznia është e Shkodrës”, u shpreh Ademi e cila ka qene e ftuar ne emisionin “I ftuari” ne televizionin A2CNN.

“Besoj që me kalimin e kohës do të mund të tregohet për vështirësitë që klubi ka pasur, do të kuptohet që interesa politike dhe kriminale kanë diktuar edhe mungesën e performancës, duke filluar nga drejtuesit e deri tek ata që luajnë në fushë”, shtoi ajo.

Kryetarja e Bashkisë pranoi se ka kërkuar rinisjen e procedurave për privatizimin e klubit, pasi nuk e kishte bërë këtë gjatë kohës që skuadra ishte në Kategorinë e Parë, për të shmangur keqkuptimet se ulja e performancës ishte bërë për të ulur çmimin e aksioneve.

“Nuk doja që të kishte aludime dhe nuk e kam shtyrë këtë për sa kohë që ishim në Kategorinë e Parë. Vllaznia është ndoshta i vetmi klub i formalizuar sipas ligjit në Shqipëri. Ka disa detyrime por është ndër klubet më të shëndosha në aspektin financiar”./a2news/