Dinamo ia doli që mes shumë vuajtjesh të merrte 1 pikë në derbin përballë Tiranës. Dinamovitët barazuan 8 minuta nga fundit i derbit, me sfidën që përfundoi 1-1 mes tyre.
Një pikë e cila për mënyrën se si shkoi ndeshje vlen shumë. Por nga ana tjetër tregon momentin e “errët’ që po kalon skuadra e Ilir Dajës. Në kampionat bëhet ndeshja e 5-të rresht pa fitore, duke humbur kështu shumë terren ndaj ekipeve kryesuese.
Por akoma më shumë “frikëson” fakti që një ekip si Dinamo ka mundur të shënojë vetëm 1 gola në këto ndeshje, pikërisht në baraimi 1-1 në derbin ndaj Tiranës. Mustapha Koma theu “makthin” e 2026, pasi ky ishte goli i parë për këtë vit në kampionat nga “Blutë”.
Skuadra dhe kryesisht reparti i sulmit duket se ka humbur “busullën” para portës. Këtë e tregon edhe penalltia e humbur nga Dejvi Bregu ditën e djeshme, ku 11 metër para portierit, nuk kishte saktësinë dhe ftohtësinë e duhur për të tundur rrjetën.
Ekipi duket në një gjendje të rënduar psikologjike, ku Ilir Daja do të duhet të ndryshojë tashmë diçka për të rikthyer skuadrën aty ku i takon. Diçka të tillë do të duhet ta bëjë që në duelin e radhës, atë ndaj Tiranës. Ironia e fatit i vendos sërish kundër bardhebluve, por këtë herë në Kupën e Shqipërisë, ku duhet të bëjnë llogaritë e çerekfinales. Duel ky që do të luhet ditën e mërkurë në orën 13:30 në “Selman Stërmasi”./newsport/


