Nga Endri ÇINARI
Ndeshjet jashtë fushe kanë qenë me të vërtetë një pikë e dobët e Vllaznisë këtë sezon dhe këtë e vërtetoi edhe barazimi i fundit në transfertë kundër Tiranës. Ku pavarësisht se bardheblutë po vuajnë shumë këtë sezon dhe ndaj shkodranëve u prezantuan me një formacion me shumë të rinj në përbërje, sërish arritën të merrnin një pikë pas shifrave finale 1-1. Një rezultat që konfirmoi “brishtësinë” e kuqebluve në duele jashtë Shkodrës, të cilat qartazi kanë ndikuar edhe në klasifikimin e ekipit, në një moment ku jemi 1 ndeshje larg përfundimit të gjysmës së parë të sezonit.
Kështu 9 herë kampionët e vendit kanë luajtur 9 ndeshje jashtë deri në këto momente të edicionit, duke llogaritur edhe duelin me Vorën në javën e 14-të, por që u zhvillua në Shkodër. E kështu kuqeblutë nga 27 pikë të mundshme në ndeshjet jashtë fushe kanë marrë vetëm 8 të tilla, shumë pak për një skuadër që pretendon titullin kampion. Kështu kuqeblutë në gjitha duele jashtë fushe këtë sezon deri më tani kanë marrë vetëm 1 fitore. Atë ndaj Bylis në shifrat 0-1, në raundin e 7-të të kampionatit.
Teksa shkodranët kanë marrë edhe 5 barazime në transferta, kundër Teutës 1-1, Egnatias 2-2, Tiranës 1-1, Partizanit 1-1 dhe Vorës 0-0. Gjithashtu duke u mposhtur edhe nga Dinamo 3-1, Flamurtari 1-0 dhe Elbasani 1-0, ku në të gjitha këto duele kuqeblutë kanë shënuar 7 herë dhe pësuar 10 gola. Duke treguar se pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar rezultatet në transfertë, kuqeblutë nuk e kanë arritur me sukses objektivin e tyre. Ku në duelet jashtë fushe këtë sezon më dobët se shkodranët kanë bërë vetëm Flamurtari me 7 pikë të grumbulluara dhe po ashtu Tirana e Bylis që kanë marrë nga 6 pikë në ndeshjet si udhëtues.
Po ashtu të besuarit e Martinit po mbyllin fazën e dytë të kampionatit vetëm me një fitore në llogarinë e tyre. Kjo e ardhur ndaj Dinamos në javën e 11-të me rezultatin 1-0 falë një goli të Balajt. E ndërsa gjatë gjithë fazës skuadra ka marrë 5 barazime dhe 2 humbje, teksa do mbyllë gjithçka me ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Flamurtarit. Kjo përsa i përket fazës së dytë të edicionit 2025-26 të Superiores, ku për kuqeblutë vlen vetëm fitorja.
Kjo për t’i bërë një mbyllje pozitive vitit e po ashtu rinisur në janar nga një frymë tjetër, ku skuadrës do i kërkohet reagimi në gjysmën e dytë të sezonit.


