Sulmuesi argjentias Nestor Martinena ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Ish-lojtari I Dinamoës, përmes një menaxheri shqiptar ka kontaktuar me drejtuesit kuqeblu për këtë çështje por përgjigja e marrë ka qenë negative. Ka qenë drejtori sportiv I klubit, njeriu përgjegjës I merkatos shkodrane, ai që ka kthyer këtë përgjigje. Sigurisht që Grima I di mirë mundësitë financiare të klubit por megjithatë në këtë mes ka edhe një dilemë. Ndoshta I është “jo” Martinenës sepse planet mund të jenë për të ofruar një tjetër lojtar.
Historia e tratativave me Martinenën në fakt ka një vit që ka nisur. Në fundin e sezonit 2010-11, ish-presidenti Valter Fushaj pat hyrë në negociata me lojtarin argjentinas pas problemeve financiare që ai kishte me Dinamon. Dëshira e trajnerit Mirel Josa ishte për ta patur në skuadër këtë futbollist. Edhe vetë lojtari nuk ishte kundër dhe e pat lënë që të kthente një përgjigje deri në fillim të qershorit të një viti më parë. Por pikërisht në ato ditë, bashkëshortja e Martinenës kishte firmosur në emër të tij një kontratë njëvjeçare me një skuadër në Argjentinë duke e hedhur poshtë mundësinë e veshjes kuqeblu të tij. Por nëse nuk u bë realitet vitin e kaluar, këtë herë ka qenë vetë lojtari që është ofruar për të qenë pjesë e Vllaznisë. Fakti që skuadra shkodrane ka blerë vetëm një sulmues- Hysën, linte hapur mundësinë e marrjes edhe të një tjetër lojtari për repartin ofensiv. Problemi I të qenit argjentinas- I huaj, për Martinenën nuk ishte një problem sepse shkodranët kanë të planifikuar për në formacion katër të huaj deri tani dhe pikërisht portierin Vujadinoviç dhe mesfushorët, kosovarin Nallbani, malazezin Deliç dhe rumunin Dragoi. Kësisoj, vend edhe për një blerje ka. Aq më tepër që vetë drejtori sportiv Grima, në momentin e prezantimit të Hysës, pat lënë të hapur mundësinë edhe të ndonjë blerje tjetër, ndonëse plani për të realizuar tetë blerjet e kërkuara nga ana e trajnerit Duro, ishte realizuar. Në kushte të tilla, sigurisht që interesi për Martinenën nuk duhej të ishte mbyllur kaq shpejt por tratativat për ofrimin e tij janë ndërprerë. Nga ana e klubi Vllaznia është thënë se financat e parashikuara për blerjet e merkatos së verës janë harxhuar, por në të vërtetë këtu ka një mister. Vetë trajneri Duro pak ditë më parë, para se të merrej Hysa, pat deklaruar se do kërkohej në merkato edhe një sulmues dhe një mesfushor. Sulmues erdhi dhe tashmë pritet edhe mesfushori. Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se ky mesfushor është Klodian Duro. Lojtari nuk I ka punët mirë tek Tirana dhe prandaj në Shkodër e presin krahëhapur. Ai është I adhuruar nga tifozët kuqeblu sepse shohin tek elbasanasi shijen e titullit kampion me të cilin kanë festuar bashkë për herë të fundit në vitin 2001. Por një tjetër mundësi është edhe ndonjë futbollist I Skënderbeut. Nga Korça vijnë lajme se disa prej lojtarëve aktualë mund të mos rinovojnë për sezonin e ri dhe në kushte të tilla, kur Shpëtim Duro I njeh mirë këta lojtarë, mund të tentojë të marrë ndonjërin prej tyre. Por nuk përjashtohet mundësia që tek Vllaznia të ketë edhe ndonjë lëvizje tjetër në ditët e ardhshme. Largimi I Sykajt për tek Kastrioti ka bërë që në mbrojtjen kuqeblu të reduktohen forcat dhe nuk është çudi që kuqeblutë të tentojnë edhe marrjen e një mbrojtësi në merkato. Pavarësisht këtyre gjërave, për sulmuesin argjentinas Martinena në këtë skuadër nuk ka vend. Vendimi për të tashmë është dhënë.
Gjergj KOLA