Prej pak ditësh ka lënë Kroacinë dhe i është bashkuar ekipit të Laçit për fazën përgatitore. Futbollisti koplikas Enis Çokaj që është nën kontratë me klubin Lokomotiva të Zagrebit, do të luajë si i huazuar tek Laçi. Një gjë të tillë e konfirmon vetë lojtari në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” ku jep edhe arsyet e kësaj zgjedhje.

“Tek Lokomotiva nuk kisha shumë hapësira për t’u aktivizuar në ekipin e parë dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit menduan që të më huazonin në ndonjë ekip Superlige dhe Laçi ishte zgjedhja më e mirë për mua, për më tepër që më kërkoi vetë trajneri Prenga”- thotë Çokaj.

I pyetur nëse do mundet të fitojë besimin e trajnerit për ta aktivizuar si titullar, ai shton: “Unë do të jap maksimumin tim, pastaj është në dorën e trajnerit nëse do më aktivizojë apo jo”.

19 vjeçari koplikas ka qenë një ndër elementët e spikatur në kampionatet e moshave teksa pas aktivizimit me sukses në rradhët e Shkëndisë së Tiranës, fitoi provën tek Lokomotiva e Zagrebit me të cilin ka firmosur një kontratë profesioniste deri në vitin 2022.

Por tani tek Laçi do të mundohet të tregojë vlerat e tij edhe në kampionat të rriturish dhe për këtë arsye, do të japë më të mirën e tij për t’i bindur të gjithë.
© shkodrasport.com