Shkruar nga Gjergj KOLA
Para pak ditësh, në Coverciano përfundoi kursi i rradhës për drejtor sportiv në Itali. Dhe në mes të 380 pjesmarrësve, nga të cilët vetëm gjysma u diplomua pasi të tjerët nuk e kaluan provimin, është edhe një shqiptar. Ersid Pllumbaj është i vetmi shqiptar i diplomuar në këtë pas dy muajsh e gjysëm kurs.
Dhe në fakt kemi pse të krenohemi, për më tepër që kemi të bëjmë me një bajzian, i cili prej vitesh merret me sportin më të dashur nga të gjithë dhe me të cilin padyshim që ka edhe shumë ëndrra përpara për t’i bërë realitet.
Në një prononcim ekskluziv për Gazeta “Shkodra Sport”, Pllumbaj është shprehur:
“Jam shumë i lumtur që realizova edhe një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën time duke u diplomuar si drejtor sportiv. Nuk ka qenë aspak e lehtë, fillimisht rregjistrimi sepse kërkesat kanë qenë të mëdha, por edhe nga fakti se vetëm gjysma e atyre që kanë marrë pjesë në kurs, janë diplomuar sepse gjysma tjetër nuk e kaloi provimin ngaqë ishte shumë i vështirë.
Jam i lumtur sepse në këtë kurs krahas meje ishin edhe shumë ish- lojtarë të njohur të Seria A dhe kjo më motivon edhe më shumë për ta bërë sa më mirë detyrën time në të ardhmen. Po ashtu, isha i vetmi shqiptar që mora pjesë në këtë kursin e fundit dhe që u diplomova. Ndoshta, nuk e di saktësisht, por mund të jem ndoshta edhe i pari verior i diplomuar në Itali me këtë licensë. Kuptohet që të gjithë këto faktorë, besoj se do të marrin një përgjigje pozitive nga puna ime në të ardhmen.
Po kush është Ersid Pllumbaj?
Ka lindur në Bajzë më 26 prill 1989 dhe me futbollin do të lidhej shumë shpejt duke u bërë pjesë e ekipeve të moshave të Bajzës dhe aty do të qëndronte deri në moshën 8 vjeç. Në këtë moshë do të spostohej bashkë me familjen e tij në Tiranë duke u bërë pjesë e ekipeve të Akademisë Dinamo dhe do të luante me to deri në moshën 13 vjeç duke patur trajner një emër si Andrea Marko.
Një vit më vonë do të largohej drejt Italisë ku u bë pjesë e ekipit Sparta fillimisht dhe më pas do të kalonte tek ekipi Primavera i Novarës. Luan në “Promozione” me ekipe të ndryshme dhe si sulmues që ishte spikat me paraqitjet dhe golat e tij. Aq sa në moshën 28 vjeç, ndonëse pa menaxher dhe pa mbështetje arrin të firmosë kontratë profesioniste në Seria C me ekipin Pro Patria. Por ky moment i lumtur për të nuk do të zgjaste shumë sepse në moshën 29 vjeçare do të ishte i detyruar t’i jepte fund futbollit të luajtur për shkak të një problem kardiak.
Një fund i dhimbshëm, por të cilin Ersidi ishte i detyruar ta pranonte sepse shëndeti kishte më shumë rëndësi se çdo tjetër për jetën e tij. E mbylli karrierën si futbollist me 289 gola të shënuar dhe me disa kampionate të ndryshme të fituara, kuptohet me ekipe të dorës së dytë.
Karriera si drejtor sportiv
Pak vite pushim dhe në moshën 33 vjeçare do të niste punë si drejtor sportiv. Ekipi i parë që i besoi ishte RG Ticino që merrte pjesë në “Eccellenza” dhe ndonëse filloi punë në nëntor, kur kampionati kishte nisur, falë punës së Ersidit, por edhe gjithë të tjerëve skuadra ia doli që në javën e fundit të siguronte të drejtën për t’u ngjitur në Seria D. Padyshim që kjo arritje ishte një plus i madh edhe për shqiptarin i cili e nisi mbarë detyrën si drejtor sportiv.
Pas një viti pushim, në sezonin 2023-2024 iu bashkua projektit të klubit “Olimpia Sant’ Agabio” ku vazhdon edhe sot e kësaj dite, me shumë ide dhe projekte të qarta në kokë për të ardhmen.

Projekti i nisur me “Olimpia Sant’ Agabio”
Ka kaluar tre sezone tek ky klub dhe po bëhen gati për të hyrë në të katërtin. E kanë nisur nga “Seconda Categoria” ku dolën kampionë, më pas kampionë edhe në “Prima Categoria” dhe tashmë janë në “Promozione”, por me ambicie për t’u ngjitur shpejt në “Eccellenza” që në sezonin tjetër. Arsyeja pse Ersid Pllumbaj iu bashkua projektit të këtij klubi ishte presidenti i tij, një tjetër shqiptar, pikërisht Ardian Dushaj nga Kopliku. Një biznesmen i suksesshëm i cili po investon tashmë edhe në futboll dhe gjërat po i shkojnë mirë deri tani.
Ia ka besuar projektin sportiv Ersidit dhe në tre vite kanë fituar tre kampionate ku kanë marrë pjesë. Pjesë e ekipit të parë janë edhe dy ish futbollistët e Vllaznisë, Arsen Sykaj dhe Klodian Samina. Ndërkohë presidenti Dushaj po investon edhe në infrastrukturë e po ashtu edhe tek Akademia, ku aktualisht janë të rregjistruar 180 fëmijë. “Kemi shumë plane përpara dhe mendoj se gjërat po i marrim shtruar dhe themelet po i hedhim të forta për të ardhmen. Ambiciet e presidentit janë të mëdha dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i çojmë përpara ato”- shprehet Plliumbaj për Gazeta “Shkodra Sport”.
Synimet e Ersidit për të ardhmen
Mosha e tij është e re, por ambiciet dhe dëshirat janë të mëdha. Duke punuar tek “Olimpia Sant’ Agabio” ai po rritet jo vetëm nga ana profesionale, por po fiton edhe përvojën e duhur që do ta ndihmojë atë në të ardhmen. Tregu italian i futbollit është shumë i vështirë, megjithatë 37 vjeçari nga Bajza nuk “i trembet”. Madje, kur e pyesim se cilat janë ëndrrat e tij të mëdha, ai do të shprehej: “Kuptohet që jam në hapat e parë dhe kam shumë rrugë përpara, por jam i bindur se do të arrij diçka të madhe në karrierën time. Synimet në fund të fundit janë që një ditë të jem drejtor sportiv i një klubi në Premier League ose pse jo, edhe të zgjidhem president i Federatës Shqiptare të Futbollit sepse mendoj që i kam aftësitë e duhura për ta zhvilluar më tej dhe për ta çuar edhe më përpara futbollin shqiptar”.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


