Arturo Vidal duket se e ka ndarë mendjen që të transferohet te Interi. Mesfushori kilian kërkon me çdo kusht që të bashkohet me Antonio Konten e të nënshkruajë në moshën 32-vjeçare atë që shumëkush e cilëson si kontratën e tij të fundit të madhe në futbollin e rëndësishëm.
Portale pranë klubit italian kanë mësuar edhe detajet e marrëveshjes parimore që futbollisti ka me klubin e Interit. Lojtari i kishte dhënë pëlqimin e tij Interit qysh në nëntor e për të gjetur marrëveshjen financiare nuk ka qenë e vështirë.
Kontrata që atij do t’i vihet para zgjat bashkëpunimin deri në vitin 2022. Për pjesën e parë të saj, më saktësisht deri në fund të këtij edicioni, ai do të përfitojë 4,5 milionë euro plus bonuse, pasi aktualisht te Barcelona fiton 9 milionë euro neto në vit dhe Vidal nuk ka bërë “ulje”.
Ndërkohë, në dy sezonet pasardhëse ai do të përfitojë 6 milionë euro neto në vit, njëlloj si Godin, që është një shifër relativisht e lartë duke llogaritur mesataren e kampionatit italian. Ndërkohë, mbetet për t’u gjetur një akord mes klubeve, pasi Barcelona nuk heq dorë lehtë nga futbollisti.
Katalanasit kanë bërë të qartë se Interi apo çdo klub tjetër që e dëshiron, duhet të paguajë 20 milionë euro për kartonin e tij. Për momentin, Interi ofron 2 milionë euro për huazimin dhe 10 në fund për blerjen e kartonit, ndaj distanca mes klubeve është ende e largët. /vipsport/