Vllaznia si në ëndërr! Shanset për ta mbyllur sezonin me dy trofe janë të mëdha, por në Shkodër nuk duan të fluturojnë para kohe, pasi kanë mësuar nga gabimet e fazës së tretë. Alban Xhaferi i ka idetë e qarta për ta motivuar skuadrën në sprintin final drejt titullit, por së pari kërkon që të mos dalin pa pikë ndaj Tiranës nesër në “Selman Stërmasi”.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sponsori i shkodranëve zbulon se do të ketë dy rroga bonus për çdo futbollist dhe një premio gjigante ekstra, në rast se Vllaznia shpallet kampione. Xhaferi ka një përgjigje edhe për drejtorin e Partizanit, Olsi Rama.

Alban, kryesoni kampionatin dhe jeni gjithashtu në finalen e Kupës. Më mirë se kaq besoj nuk keni pritur nga Vllaznia?

Tani është momenti që të ecim me sloganin: “Me mendje në kokë dhe jo me këmbë në tokë”. E them këtë, pasi na presin edhe 7 finale në kampionat, ku mund të ndodhë gjithçka. Kemi mundësi ta fitojmë titullin apo Kupën, por gjithashtu mund të humbim në të gjitha aspektet.

Suksesi dhe dështimi janë afër dhe duhet të kemi kujdes që nga ndeshja me Tiranën, pasi përballë kemi një kundërshtar që është ende në lojë. Duhet të ecim me mendje në kokë për të kapur atë që kemi nisur. Nuk është momenti të bëhemi euforikë, sepse janë ndeshje vendimtare njëra pas tjetrës. Do të luajmë jo vetëm me Tiranën, por edhe me rivalë direktë si: Partizani, Teuta dhe Laçi.

Është rikthyer entuziazmi i dy fazave të para në ekip apo situata aktuale do një menaxhim perfekt për të shkuar te suksesi?

Jemi në një situatë optimale sa i përket harmonisë në skuadër. Është rikthyer Vllaznia e dy fazave të para. Sigurisht, po bëjmë gjithçka që i duhet ekipit në këtë moment dhe ndeshjet e fundit kanë konfirmuar një Vllazni të bukur. Thjesht unë dua të bëj një apel edhe për vetë opinionin në Shkodër, që nuk duhet të kalojmë në eufori në këtë moment, pasi çdo pritshmëri e tepruar mund të na bëjë dëm.

Do te kete shperblim per skuadren nese ajo do te shpallet kampione e Shqiperise?

Padyshim qe do te kete shperblim. Per secilin futbollist eshte e shkruar ne kontrate qe do te kete nga dy rroga bonus dhe perpos kesaj, per ekipin do te kete nje premio gjigande ekstra nese shpallet kampion i Shqiperise kete sezon.