Tirana-Vllaznia nuk është vetëm klasik ja e Superiores, aq më shumë ndeshja më historike e futbollit shqiptar. Të mërkurën sfida do të tregojë se është një ndeshje që vlen më shumë se kaq.

Peshon sa vetë titulli kampion. Dhe çuditërisht këto dy skuadra sa herë që luftojnë për titull, kryqëzohen me njëra-tjetrën në ndeshje për jetë a vdekje.

SFIDA – Të mërkurën, si Tirana dhe Vllaznia luajnë gjithçka. Shkodranët vijnë në kryeqytet si kryesuesit, ndërsa Tirana si kampionët e Shqipërisë. Qëllimi i miqve është i saktë: Të fitojë dhe të shpresojë te gabimet e Teutës, Partizanit, Laçit. Një skenar i tillë do të thoshte arratisje për Vllazninë drejt titullit që mungon prej dy dekadash.

Te Tirana janë edhe më konkretë. Janë shtatë pikë larg nga kreu, por duan që të bëjnë gjithçka në shtatë javë. Pra, të rikuperojnë budallallëqet e 29 javëve të shkuara.

Pa dy gabimet me Skënderbeun dhe Kukësin, sot do të ishin tri pikë nga kreu. Një fitore me Vllazninë, e kombinuar me gabimet e të tjerëve, do të sillte futjen totalisht në garën për titull. Dhe Tirana shpreson shumë, sepse si Bylisin dhe Kastriotin i ka si autostradë. Menjëherë më pas luan me dyshen Partizani-Laçi dhe mund të ndodhë që fati t’i ofrojë vendin e parë.

MINIMALJA – Edhe në planin më të keq, Tirana do të luajë për vendin e katërt. Për ata që nuk e dinë, sido që të ndodhë, vendi i katërt të çon në Europë, fiton apo nuk fiton Vllaznia Kupën e Shqipërisë. Vetëm në rastin kur Vllaznia fiton Kupën dhe del e katërta, vendi i katërt nuk të çon në Europë. Për këtë qëllim, bardheblutë duhet që medoemos të ndëshkojnë Vllazninë në një ndeshje që për titullin do të thotë peshë titulli.

STATISTIKAT – Në këtë sezon dy skuadrat janë përballur tri herë. Secila skuadër ka një fitore dhe në një rast ekipet janë ndarë me barazim. Shkurt, në fushë mund të ndodhë gjithçka, ndonëse bardhebluve nuk u lejohet më as të barazojnë dhe jo më të humbasin