Mesfushori me origjinë shqiptare Adri Mehmeti, po shkakton “zhurmë” në mediat botërore, teksa ka bërë që të “dashurohen” edhe klubet elitare në Evropë si Bayern Munich, Arsenal apo Chelsea.
Lojtari është vetëm 16 vjeç, ndërsa inkuadrohet te New York RedBull në SHBA, e ku gjatë këtij sezoni në 5 ndeshje të MLS-ës, numëron 2 asiste.
Në një video të fundit në rrjetin social “Facebook”, humoristi shkodran Bujar Ademovi, shfaqet krahë talentit Mehmeti, ndërsa ky i fundit flet shqip. Kujtojmë që Ademovi ka lidhje familjare me këtë futbollist dhe si rrjedhojë nuk ka ngurruar t’i bëjë një dhuratë të veçantë.
Përtej autografit te fanela e ekipit të New York RedBull, humoristi Ademovi i kushtoi një fanelë të veçantë Adri Mehmetit, atë të Vllazninë, të personalizuar dhe me numrin “6”, ndërsa në sfond dëgjohet fraza “forca Vllaznia” nga talenti me origjinë shqiptare.
Deri në këtë pikë të karrierës, futbollisti ka zgjedhur të përfaqësojë SHBA-në U-15, por ka të drejtë t’i bashkohet Shqipërisë për shkak të prejardhjes familjare. Kujtojmë që babai i Adrit është me origjinë nga Saranda dhe nëna e tij nga Shkodra.


