Nëse flasim për sportin e notit në Shkodër, kurrsesi që nuk mund të anashkalosh një emër si Azem Plisi, kampion dhe rekordmen për vite me rradhë me fanellën e Vllaznisë.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ai feston 69 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura.

Azem Plisi ka lindur në Shkodër më 22 janar 1954 në Zogaj dhe duke e kaluar fëmijërinë e tij pranë Liqenit të Shkodrës, nuk kishte si të mos lidhej me sportin e notit.

Do ta fillonte këtë sport që në vitin 1960 dhe do të largohej prej tij në vitin 1982. Do të bëhej një nga emrat më të njohur të vendit në garat e rezistencës, duke filluar nga ajo e 400 metrave, për të vazhduar me 800 metrat dhe 1500 metrat në stilin e lirë.

Do të shpallej disa herë kampion i vendit dhe si rrjedhojë do të merrte edhe titullin “Mjeshtër Sporti”, e njëkohësisht do të thyente edhe disa herë rekordet kombëtare.

Ka marrë pjesë edhe në disa aktivitet ndërkombëtare ku veçohet ajo në Lojërat e Ganefos ku arrin të shkojë deri në finalen e garës së 1500 metrave stil i lirë. Por arritja më e madhe e tij ishte pjesmarrja në një aktivitet ndërkombëtar që u zhvillua në Shanghai të Kinës në vitin 1975.

Ai sëbashku me Rrok Shestanin, arritën të renditen në vendet e treta në garat e tyre duke marrë medaljen e bronztë në mes notarëve nga 37 shtete pjesmarrëse në këtë aktivitet.

Në festimet e 100 vjetorit të SK Vllaznia, është vlerësuar nga Bashkia Shkodër dhe Klubi Vllaznia si një nga “notarët e shekullit” të këtij klubi. Një emër që ka kontribuar shumë për këtë sport, duke i dhënë jo pak pikë e suksese këtij qyteti dhe këtij klubi.
Gjergj KOLA