Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka folur pas publikimit të listës me 23 lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet miqësore ndaj Moldavisë dhe Ukrainës.
Tekniku kuqezi ka komentuar listën e lojtarëve, mungesat në skuadër, risinë në grumbullim, dy kundërshtarët dhe përgatitjet për Kampionatin Europian U-21.
Lista e lojtarëve? – Lista është pothuajse e njëjtë me ndeshjen e fundit ndaj San Marinos. Ka shumë pak ndryshime. Kemi dy mungesa shumë të rëndësishme si Zylyf Muça mbrojtës i djathtë dhe Enes Osmani mbrojtës i majtë, janë zëvendësuar nga Vokrri dhe disa të tjerë. Mendoj që Vokrri është një prurje shumë e rëndësishme e jona. Dua ta falënderoj që zgjodhi Shqipërinë. Është një lojtar shumë i mirë, mendoj që do na ndihmoj shumë.
Dy kundërshtarët, Moldavia dhe Ukraina? – Për ne nuk ka ndeshje miqësore e kam thënë dhe më para. I marrim shumë seriozisht sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne, janë si ndeshje zyrtare, sepse na presin ekipe shumë të forta në Europian. I kemi vlerësuar maksimalisht. Ndeshjen e parë e kemi me Moldavinë, të dytën me Ukrainën.
Moldavinë e dimë shumë mirë se si luan, sepse kemi luajtur para një viti në Tiranë. Një ndeshje kemi barazuar, dhe një ndeshje e kemi mundur. Por gjithsesi janë një ekip që janë zhvilluar së fundmi, ashtu si ne. Jemi përmirësuar goxha, grupi pothuajse është alternuar dhe e njohin më mirë njëri tjetrin. Kemi krijuar një sistem loje që na përshtatet për lojtarët që ne kemi. Mendoj që do të bëjmë mirë dhe janë 8-9 ditë që do të na shërbejnë shumë mirë.
Ndeshja me Ukrainën është krejt tjetër. Një ndeshje e nivelit shumë të lartë. Ekipi i Ukrainës ka bërë mirë në vitet e fundit. E kemi ndeshjen në “Elbasan Arena” dhe mendoj që duhet të bëjmë maksimumin, për të dhënë gjithçka se çfarë ne kemi për të treguar se sa jemi përmirësuar dhe për të parë përpara.
Si po shkojnë përgatitjet për Europianin? – Janë shumë grumbullime të rëndësishme për ne. I shërbejnë gjatë gjithë kohës Europianit. Europiani e dimë se ka nivel shumë të lartë. Ekipet janë shumë të mirë, por edhe ne jemi shumë të fortë. Pavarësisht se jemi mundur edhe ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës kemi treguar që kemi karakter, luftojmë deri në fund dhe jemi në lojë deri në fund. Nëse lufton dhe sakrifikon, ke dëshirë dhe qëllim për të arritur diçka nuk duhet të kesh frikë asnjë kundërshtar.







