Mbrëmjen e sotme, Vllaznia do t’i japë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e së enjtes ndaj Universitateas së Kraiovës për Conference League. Shkodranët do të kenë përballë një skuadër me emër, jo vetëm në kampionatin rumun, por edhe në arenën europiane, ku ka qenë pjesëmarrëse rregullisht në vitet e fundit

Ekipi i Vllaznisë është i grumbulluar që në fillim të javës në një nga resorted komode në periferi të qytetit të Shkodrës, teksa janë shoqëruar edhe me një përkujdesje maksimale nga drejtuesit e klubit. Ndërkohë, seanca e fundit anti-Kraiova, do të jetë ajo e mbrëmjes së sotme, në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”.

Në fakt, në rradhët e skuadrës, por edhe pjesëtarëve të stafit teknik, duken qartë emocionet e përballjes së mbrëmjes së nesërme. Trajneri Mirel Josa së bashku me dy kolegët e tij, Vioresin Sinani dhe Auron Miloti, janë shumë të përkushtuar dhe të përqëndruar te ndeshja e nesërme, në mënyrë për ta sulmuar Kraiovën dhe për ta fituar ndeshjen.

Në seancën e sotme stërvitore, do të projektohet përfundimisht edhe formacioni i parë, por që në një farë mënyre, Josa e ka përcaktuar, teksa mund të ketë edhe ndonjë dilemë të fundit, kryesisht me mesfushën dhe sulmin, që akoma nuk ka fiksuar plotësisht emrat e duhur që do të jenë në fushë nga minuta e parë.

Kjo seancë e fundit stërvitore është planifikuar të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”, duke filluar nga ora 20:30. Skuadra e Vllaznisë ka vetëm një synim për ndeshjen e nesërme, fitoren e kësaj sfide të parë të turit të dytë të Conference League, duke hedhur kështu në një farë mënyre edhe hapin e parë ndoshta të kualifikimit drejt turit të tretë.
Maringlen ZHIVANI