Në dy vitet e fundit, nën drejtimin e Mauricio Sarrit dhe Andrea Pirlos, Juventusi mendoi që të ndryshonte dhe të dilte paksa nga tradita duke kërkuar që të ruante fronin e saj italian duke menduar për fitoren, por për t’i shtuar vetes edhe një lojë më sulmuese, siç e kërkon edhe të luajturit në Europë për të tentuar fitimin e Ligës së Kampioneve.

Gjithsesi, kjo ide nuk dha asgjë të mirë, përkundrazi edhe me Kristiano Ronaldon në skuadër, vjet Juventusi jo që dështoi sërish në Champions, por në të njëjtën kohë dorëzoi edhe titullin kampion ndaj Interit, diçka e pamenduar për 9 vitet e mëparshme.

Prandaj, klubi vendosi që të rikthehet në “antikitet”, të rikthejë në bazë Masimiliano Alegrin, jo vetëm arkitektin e një Juveje cinike, por për të pasur sërish atë mentalitet me të cilin “Zonja e Vjetër” arriti që të shkojë edhe dy herë në finalen e Champions-it (ndonëse duke humbur), por fitoi 5 tituj kampion, 4 Kupa Italie radhazi dhe 2 Superkupa.

Por Alegri erdhi në Torino dhe gjeti një skuadër gati të shkatërruar nga ajo çfarë ai kishte menduar. Nëse në fillim tekniku livornez vendosi të eksperimentojë dhe të punojë me 4 skema të ndryshme për të gjetur ekuilibër, ai kuptoi se ndoshta problemi më i madh ishte në kokën e lojtarëve.

Në Udine, Juvja e nisi me një 4-3-3, e cila pasi bëri spektakël në 45 minutat e para, në të dytën u shpërbë totalisht dhe hodhi në erë dy golat avantazh (22). Në Empoli, testi i radhës ishte 4-3-1-2, por në këtë rast erdhi një humbje e turpshme.

Në sfidën e tretë udhëtuan në Napoli duke provuar një 4-4-1-1 që sërish përveç pjesës së parë në avantazh pa Juven të përmbyset, ndërsa ndaj Milanit 4-4-2 u duk disi më pozitiv, ndonëse sërish dogjën avantazhin dhe madje në fund rrezikuan edhe të humbin.

Ndaj, pas këtyre sfidave, Alegri i la teoritë taktike dhe vendosi t’i drejtohet çështjeve psikologjike me takime të gjata dhe biseda të hapura me lojtarët, që me sa duket deri tani kanë dhënë efekt.

Por nëse Juventusi është kuruar seriozisht pas 4 fitoreve radhazi (Specia, Sampdoria, Çelsi e Torino) do të kuptohet me Romën, më 17 tetor, pas pauzës së kombëtareve.