Vllaznia U-19 ka marrë një fitore me vlera ditën e sotme ndaj Laçit me rezultatin 3-2, duke e nisur mbarë kampionatin dhe duke qenë një ndër pretendentet kryesore për fitimin e titullit kampion. Një nga futbollistët e spikatur të kësaj ndeshje ishte sulmuesi anësor, Aris Ara.

Ky i fundit, që është edhe në vëmendjen e stafit të ekipit të parë, ka qenë autor i golit të fitores për Vllazninë në këtë ndeshje. Pas këtij dueli, në një intervistë për mediat, ai u shfaq shumë i lumtur për kontributin e dhënë në këtë sukses.

“Jam shumë i lumtur, pasi e nisa me gol. Shkoi gjithçka sipas planit. Këtë ndeshje kemi kohë që e përgatisim. Kemi punuar fort në stërvitje dhe rezultati na doli me sukses. Jam shumë i kënaqur, pasi mendoj se bëra një ndeshje pozitive sot. Jemi lidhur shumë mirë edhe me shokët e ekipit, pasi kemi pasur edhe afrime të reja, por u lidhëm mirë.

Kam gjithë verën që bëj stërvitjen dhe jam i kënaqur me formën që po kaloj. Jam shumë-shumë i kënaqur me të vërtetë. Planet për të ardhmen? Synimet janë për të luajtur me ekipin e parë dhe të shënoj sa më shumë gola me të rinjtë. Më pas, le të shohim. Shpresoj që në vazhdim të na shkojë mbarë gjithë ekipit dhe pse jo, unë të vazhdoj të shënoj.”

Ndërkohë, i pyetur për festimin e veçantë tek goli i sotëm, futbollisti 18-vjeçar u përgjigj duke thënë se kishte një dedikim për Kevin Dodajn, me rastin e ditëlindjes së tij ditën e sotme.

“Golin ia dedikova Kevin Dodajt, që është futbollist i ekipit të parë. Ka patur sot ditëlindjen dhe goli im ishte dedikim për atë”,-tha sulmuesi i Vllaznia U-19, Aris Ara.
Maringlen ZHIVANI