Në tre javë kampionati Veleçiku ka arritur të grumbullojë 4 pikë dhe duket se edhe për drejtuesit gjithçka është brenda pritshmërive sepse objektivi i kësaj skuadrë është thjesht renditja në mesin e tabelës së renditjes.
Trajneri Besnik Duli duke folur për mediat pas ndeshjes së fundit ndaj Shirokës të humbur në shifrat 1-3, ka folur në tërësi edhe për kampionatin, skuadrën pretendente, por edhe për atë se çfarë synojnë koplikasit në këtë sezon që sapo ka nisur.
“Mendoj që Veleçiku jonë është skuadra për t’u mundur pavarësisht se në ndeshje të caktuara kjo ndaj Shirokës, ndikuan edhe faktorë të tjerë të cilët ndikojnë në këtë garë e cila mendoj se duhet të jetë fair- play për të gjitha ekipet dhe jo të stimulohet për mbrapsht.
Nëse vazhdon kështu kjo garë është më mirë sepse ekipi që ka dalë nga kategoria është Valbona dhe ne të tjerët luftojmë për mbijetesë. Ekipi që do të dalë në kategorinë e parë, të lodhet kushdo dhe të bëjnë ç’të dojnë, ekipi për t’u ngjitur është projektuar të jetë Besëlidhja. Ne të tjerët duhet të luajmë futboll fair- play, të argëtojmë njerëzit.
Kur thashë që ekipi i cili është projektuar për t’u ngjitur është Besëlidhja, e këtë e bazoj tek kontigjenti i lojtarëve që ajo ka në dispozicion dhe mbështetjen që ka nga Bashkia dhe aksesorët e tjerë të cilët e ndihmojnë për të dalë në kategorinë e parë.
Ndërsa objektivi i Veleçikut ashtu siç e kam thënë edhe më parë, është të rreshtohemi diku në mesin e tabelës së renditjes sepse nuk kemi mundësi për më shumë”- është shprehur trajneri i kësaj skuadre Besnik Duli.(www.shkodrasport.com)