✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
E ka lënë pas periudhën e vështirë të dëmtimit dhe nga dita në ditë po rikthehet në formën e tij më të mirë. Edon Murataj ka qenë në fushë për Vllazninë në dy ndeshjet e fundit dhe do të jetë edhe nesër ndaj Partizanit. Një sfidë që ai e konsideron të vështirë por nga ana tjetër shprehet se objektivi i kuqebluve është vetëm fitorja.
Sulmuesi anësor i Vllaznisë ka dalë sot para gazetarëve në pragndeshjen ndaj të kuqve dhe ka folur për shumë gjëra, por është ndalur edhe tek aspektin individual dhe përshtatja e tij e shpejtë me ekipin.
“Është e vërtetë që po kalonim një formë të mirë, por ndërprerja e kampionatit na ka ndihmuar, pasi na ka dhënë kohë për të pushuar, për t’u stërvitur dhe kryesorja na janë bashkuar edhe lojtarët e tjerë që kanë qenë të dëmtuar. Jemi përgatitur shumë mirë për të dhënë maksimumin nesër.
Unë jam shumë mirë, ndihem mirë dhe jam gati për të luajtur, ashtu sikurse i gjithë ekipi. Normalisht që dëmtimi bën të vetën, por me stërvitjen e bërë kam pasur mundësi të kap ritmin e kampionatit. Jam gati për ndeshjen tjetër, jo vetëm unë por edhe të gjithë lojtarët e tjerë, si fizikisht, ashtu edhe mentalisht. Kërkojmë vetëm 3 pikë nesër. Normalisht që Partizani është një ekip i mirë, me shumë cilësi, por ne duhet të shohim veten. Jemi shumë të motivuar, si gjithmonë. Nuk e shoh problem për të marrë 3 pikë nesër.
Më pëlqen ky kampionat, nuk ka asnjë ekip të lehtë, secili ka cilësi. Ndeshjet janë të vështira, por më pëlqen rivaliteti i fortë. Normalisht që mungesa e trajnerit ndikon, pasi është ai që na motivon, por përsëri do të bëjmë maksimumin. Gjithsesi, jemi gati për ta fituar këtë ndeshje. Këshilla e trajnerit? Fito, jep maksimumin, vazhdo përpara! Lojtarët janë gati për të luajtur nesër.
Bismark po e merr dalëngadalë veten dhe nesër e presim të jetë gati për ndeshje. Të gjitha ekipet janë shumë të forta. Nesër ndaj Partizanit duam fitoren. Nuk ka rëndësi se kush do ta shënojë golin, por e rëndësishme është të kthehemi me tre pike dhe të vazhdojmë serinë e rezultateve positive”- është shprehur Murataj.
Të plotë prononcimin e futbollistit të Vllaznisë mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të gazetës “Shkodra Sport” në youtube duke klikuar në linkun e mëposhtëm:







