Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Sulmuesi 16-vjeçar Emiljano Mani ishte protagonisti absolut i Vllaznia U-17 në ndeshjen e djeshme ndaj Teutës, duke realizuar dy gola dhe konfirmuar potencialin e tij si një nga elementët më premtues të kuqebluve. Të dy golat e Vllaznisë mbajnë pikërisht firmën e Manit, por ndoshta ai i dyti ishte disi më i veçantë sesa i pari.
Kjo për vetë faktin se sulmuesi u tregua i ftohtë dhe i vendosur në zonë, duke përfituar nga një aksion i ndërtuar shpejt dhe duke e dërguar topin në rrjetë me finalizim të saktë, pa i lënë mundësi reagimi portierit kundërshtar. Ishte një gol tipik sulmuesi, që tregoi nuhatje për gol dhe qetësi në momentin vendimtar.
Me këtë realizim, Mani kompletoi dopietën personale, duke qenë lojtari më konkret i Vllaznisë në repartin ofensiv. Në një moshë shumë të re, 16-vjeçari po tregon pjekuri në lojë, lëvizje të zgjuara pa top dhe instinkt goli, elementë që e bëjnë një emër për t’u ndjekur nga afër në vijim.
Pavarësisht rezultatit përfundimtar, paraqitja e Emiljano Manit dhe dy golat e shënuar mbeten sinjali më pozitiv për Vllaznia U-17, që duket se ka në radhët e saj një sulmues me perspektivë të qartë për të ardhmen.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


