27 maj i vitit 2017 do shënohet si data më e errët e historisë së ekipit të futbollit Tirana. Bardheblutë atë ditë ranë për herë të parë në historinë e tyre nga Kategoria Superiore. Do ishte ndeshja e fundit në Shkodër përballë Vllaznisë që me një rezultar 0-0 do shpëtonte shkodranët dhe do “fundoste” bardheblutë.

Gëzim dhe eufori në krahun kuqeblu e ndërsa dëshpërim dhe lot tek Tirana atë ditë në një “Loro Boriçi” të mbushur me tifozë. Emocione të mëdha mes dy skuadrave më të vjetra të futbollit tonë. Shumë kanë ndryshuar nga ajo Klasike e para 4 sezoneve. Por, ende ka futbollistë që i kanë përjetuar ato emocione në fushë në të dy skuadrat.

Tek Vllaznia janë Ardit Krymi apo edhe Erdenis Gurishta që mungon të shtunën për shkak të kartonave. Duke mos harruar edhe emra si Arsid Kruja apo edhe Arlind Kalaja. Të gjithë këta emra ishin të çliruar atë ditë maji kur arbitri me fërshëllimën e tij të trefishtë i dha fund takimit.

E tek Tirana rikthehen në “vendin e krimit” emra si: Ilion Lika, Gentian Muça apo edhe Erjon Hoxhallari, kapiteni aktual i 25 herë kampionëve të vendit.

Emocionet patjetër që ekzistojnë kur luhet në një stadium si “Loro Boriçi”, por për ta do ketë akoma një ndjenjë më të veçantë. Të shtunën do shohim nëse bardheblutë vuajnë ende nga “fantazmat” e para 4 sezoneve apo jo.
Endri ÇINARI