Lionel Mesi është një futbollist i veçantë, jo vetëm për magjitë që dhuron në fushën e lojës, por edhe për karakterin që ka, pasi të gjithë e përshkruajnë talentin argjentinas si një personazh unik, i cili është shumë i sinqertë me të tjerët. Kjo kuptohej më mirë nga pamjet e filmuara gjatë ndeshjes së kësaj fundjave ndaj Rajo Vajekanos.
Në fundin e pjesës së parë, Mesi u nis me shpejtësi në një nga driblimet e tij të zakonshme brenda zonës kundërshtare dhe pastaj u rrezua në tokë pas një kontakti. Argjentinasi rrallëherë në karrierën e tij është parë duke simuluar dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe në këtë duel.
Shumë lojtarë të Barcelonës i kërkuan menjëherë gjyqtarit që të shihte me pamje në VAR për penallti, pasi ky i fundit nuk e sinjalizoi si të tillë. Por vetë Mesi u çua dhe i sinjalizoi kryesorit që të mos merrte asnjë vendim.
“Mos e shih, vazhdo, vazhdo”:, ishin fjalët e argjentinasit, që dha përsëri një shembull të rrallë në fushat e futbollit, duke marrë edhe falënderimin e gjyqtarit. /vipsport/