Tomas Tuhel është gati të pranojë Romelu Lukakun përsëri në skuadër. Vetëm pak orë pasi trajneri mori vendimin drastik për të lënë sulmuesin jashtë sfidës së Çelsit ndaj Liverpulit, gjermani që drejton londinezët duket se pret një kthim të futbollistit belg nën urdhrat e tij.

Pas barazimit 2-2, ai ka konfirmuar se ka një takim ditën e nesërme me lojtarin dhe aty gjërat do të qartësohen më shumë, ndërsa la të kuptohet se kjo që kishte ndodhur këto ditë, nuk nënkuptonte ndarjen përfundimtare me të.

“Ai është futbollisti ynë. Ka gjithmonë një rrugë për t’u kthyer, do ta qartësojmë gjithçka mes nesh dhe kur të kemi marrë një vendim dhe Romelu ta dijë, edhe ju mediat mund ta mësoni gjithashtu.

Kjo çështje nuk ka pse diskutohet tani. Nesër kemi një takim me të, nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë në karrierën time”, tha gjermani duke lënë të kuptohet se nuk e trajtonte pakënaqësinë e Lukakut si diçka të jashtëzakonshme.