Humbja në fushën e Getafes ka qenë surpriza e madhe e fillimit të vitit në La Liga, me Real Madrid që ka dalë pa pikë nga dueli të cilin shumëkush e mendonte të thjeshtë për kryesuesit e kampionatit. Por këta të fundit dhuruan një paraqitje që la shumë për të dëshiruar e disfata 1-0 dukej mëse e merituar në fund.

Edhe Karlo Ançeloti ishte i zhgënjyer, teksa bëri të qartë se futbollistët e kishin pasur ende mendjen te pushimet edhe pse ishin kthyer në fushën e lojës.

“Nuk e kemi filluar mirë pjesën e dytë të sezonit. Nuk kemi luajtur mirë. Nuk ka shumë gjëra për të shpjeguar. Kemi dhuruar një gol me një lojtar i cili zakonisht lufton shumë. Mund të ndodhte dhe ka ndodhur. Kemi gabuar shumë pasime. Reagimi pas golit është i mirë, por më pas ndikuan nervat.

Mendoj se nuk ka shumë gjëra për të thënë për këtë ndeshje, ishim me pushime një ditë më shumë. Nuk dukej si skuadra që mbylli vitin. Më pak përqendrim, më pak përkushtim. Barazimi ishte i drejtë, nuk e meritonim të humbnim. Por dhuruam një gol dhe u mundëm, ishte një mungesë vëmendje. Skuadra dukej se ishte me pushime”, theksoi trajneri italian duke pranuar provën e dobët të skuadrës së tij.