Pasi ia doli të marrë pjesë për herë të parë në histori në një Kampionat Europian, Maqedonia e Veriut tashmë ka”oreks” për një tjetër kompeticion madhor siç është Botërori i Katarit dhe po luan shanset e saj që të sigurojë të paktën vendin e dytë në grupin J.

Shqiptarët janë një faktor mjaft i rëndësishëm në vendin fqinj dhe nuk mund të jetë ndryshe as në futboll, ku plot 5 të tillë përfaqësuan Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Europian të kësaj vere, ndërsa dy prej tyre janë titullarë edhe mbrëmjen e sotme në Vaduz ndaj Lichtensteinit.

Bëhet fjalë për Ezgjan Alioskin dhe Arijan Ademin, të cilët janë hedhur nga minuta e parë nga ana e trajnerit Milevski, ndërsa në shkallët e stadiumit “RheinPark” të Vaduzit nuk mungoi as flamuri shqiptar.

Në videon e siguruar nga Supersport, dallohet qartë flamuri kuqezi, mbi të cilin është stampuar edhe një foto e flamurit “Autochtonous”, i shpalosur nga fansat shqiptarë në stadiumin e Vaduz-it, një qytet shumë pranë Zvicrës.