Skënderbeu po përgatit javën e fundit të kampionatit mes kërkesave për pikë dhe domosdoshmërisë për të treguar forcën e grupit pas asaj ndeshjeje të humbur ndaj Laçit. Nesër korçarët do të luajnë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës kundër Vllaznisë, në orën 17:00, teksa trajneri Ivan Gvozdenoviç kërkon rikthimin te rezultatet pozitive dhe mbylljen me sukses të vitit 2023.
Në një prononcim para largimit të skuadrës nga Korça, numri një i pankinës, korçari foli për ndeshjen me Vllazninë dhe të ardhmen e skuadrës.
“Është java e fundit e kampionatit dhe normalisht që duam ta mbyllim me sukses. Jemi duke bërë përgatitjet e fundit dhe për momentin mund të them se jemi mirë. Kemi të gjithë grupin në dispozicion dhe ky për mua është lajmi më i mirë i mundshëm në prag të këtij takimi. Jemi gati dhe po mendojmë vetëm për fitoren. Do të luajmë me përqendrim maksimal, pasi rrugëtimin e nisëm më së miri në këtë kampionat dhe duam që ta mbyllim po ashtu.
Normalisht Vllaznia është një ekip i fortë, që ka gjetur fitoret në ndeshjet e fundit dhe gjithashtu lojën e mirë. Por, do të shkojmë në Shkodër për objektivin tonë, pa marrë parasysh kundërshtarin. Nuk e shoh si një hakmarrje për humbjen e fazës së parë, pasi ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra. Ne kemi një objektiv që i kemi caktuar vetes në çdo ndeshje”, ka thënë fillimisht trajneri i Skënderbeut.