Deri para dy javësh, pikërisht para ndeshjes me Kastriotin, kishte nga ato tifozë që mendonin se sulmuesi Haris Dilaver nuk kishte formën e duhur fizike dhe duhej ulur në stol, edhe ngaqë Dunga po shfaqte një formë më të mirë.

Megjithatë trajneri Brdariç vazhdoi t’i besonte sulmuesit boshnjak dhe në fakt ai nuk e zhgënjeu. Në ndeshjen me Kastriotin shënoi gol dhe po ashtu edhe në ndeshjen me Partizanin, madje në këtë të fundit goli ishte me shumë peshë sepse u shënua në fund dhe i dha fitoren Vllaznisë.

Do të ndalemi pikërisht tek ky gol për të treguar se Dilaver nuk është jashtë forme. Përkundrazi, sulmuesi kryesor i kuqebluve ka shfaqur një përgatitje fizike të lartë.

Mjafton t’i referohemi rastit të golit në takimin e fundit ndaj Partizanit. Ka qenë minuta e 86-të e ndeshjes dhe në atë moment ka qenë Partizani në aksion teksa ai fitoi një goditje këndi dhe si rrjedhojë Dilaver është kthyer në zonën e tij të rreptësisë dhe ka qenë tek 5-metërshi.

Pikërisht atëherë aksioni i të kuqve është thyer dhe Krymi me një top të gjatë ka nisur brazilianin Victor da Silva. Nga ana tjetër, sulmuesi boshnjak është nisur menjëherë me një sprint të fortë dhe duke përfituar edhe nga ndalesa e shokut të skuadrës së tij që e priste, i është drejtuar zonës së Partizanit.

E ka marrë topin në një distancë prej 25 metrash larg portës së mbrojtur nga Alban Hoxha dhe në një distancë prej 13-14 metrash, e ka gjuajtur topin duke e kaluar poshtë portierit kundërshtar duke e dërguar në rrjetë.

Kujtojmë që gjatësia e fushës së stadiumit “Loro Boriçi” është 100 metra, konstatojmë që Dilaver ka vrapuar për një distancë prej 90 metrash për ta dërguar topin në rrjetë. Dhe të mos harrojmë se ka qenë minuta e 87-të e ndeshjes. Që do të thotë se ai është në një formë të shkëlqyer. Për më tepër ndiqni videon e mëposhtme…