Milani ka marrë sot siç pritej një fitore përballë Dudelanzh, por rezultati përfundimtar 5-2 nuk tregon qartësisht vuajtjet e kuqezinjve, të cilëve iu desh një çerek ore i vrullshëm në pjesën e dytë për të përmbysur rezultatin e skuadrës nga Luksemburgu.

Goli i Kutrones në pjesën e parë la të mendohej se për kuqezinjtë e Gatuzos gjithçka ishte e thjeshtë. Por Stolz në fundin e pjesës së parë dhe Turpel në fillimin e të dytës përmbysën gjithçka duke i dhënë një avantazh të papritur ekipit modest.

Për të shpëtuar kuqezinjtë dhe Gatuzon nga turpërimi, mendoi Çalhanoglu. Fillimisht një krosim i turkut në minutën e 66-të u devijua në rrjetën e portës së vet nga Kruz për barazimin e më pas vetë futbollisti i Milanit realizoi golin e parë sezonal me një gjuajtje nga jashtë zonës.

Një tjetër harkim i Çalhanoglu devijohet në rrjetën e vet nga një lojtar i Dudelanzh, Shnell, ndërsa më pas Borini çoi shifrat në 5-2 me golin e tij. Gjithçka në 15 minuta, për të evituar një situatë të sikletshme në një stadium ku kishin filluar të dëgjoheshin edhe vërshëllimat.

Megjithatë, fitorja nuk u mjafton kuqezinjve që të presin biletën për turin tjetër. Skuadra italiane është e dyta në grup pas Betis, por me tre pikë diferencë nga Olimpiakos i vendit të tretë.

Ndeshja e radhës është pikërisht në Athinë ku në një ambient të ndezur, kuqezinjve do t’u duhet të evitojnë një humbje me 2 gola diferencë përballë grekëve për të prerë biletën për më tej në këtë turne. /vipsport/