Endri Çekiçi vazhdon të tregojë një formë të jashtëzakonshme me fanellën e Olimpija Ljubljanës, duke vërtetuar gjithnjë e më shumë se e meriton një vend në radhët e përfaqësueses shqiptare. Sulmuesi pogradecar po shkëlqen me skuadrën e tij e çfarë është më e rëndësishme, po shënon me rregullsi mbresëlënëse në portat kundërshtare.
Kështu, në takimin e sotëm kundër Domzhales, ai ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm me një gjuajtje nga jashtë zonës së rreptësisë. Në minutën e 33-të të takimit, sulmuesi lëshoi një goditje të fortë nga distanca, duke mos i lënë kohë portierit kundërshtar të reagonte, për të çuar shifrat në 2-1 për ekipin e tij.
Ky ishte goli i katërt në këtë edicion për Çekiçin, i cili ka shënuar 6 gola në sezonin e kaluar në kampionatin slloven. /vipsport/