Milan ka bërë një tjetër hap mbrapa në garën për vendin e katërt pas barazimit pa gola të marrë në fushën e Frosinone-s, skuadra që mban vendin e parafundit në Serinë A. Milanezët, që kanë marrë 3 barazime dhe 1 humbje në katër ndeshjet e fundit të kampionatit, janë në vendin e pestë me 28 pikë, por me një ndeshje më shumë. Kjo ka qenë ndeshja e katërt radhazi pa gol e Milan-it në kampionat, gjë që nuk ndodhte që nga dhjetori i 1984-ës.
Frosinone first goal pic.twitter.com/hu2Oup5STB
— Goal (@Goal_Live1) December 26, 2018
Takimi ka filluar mirë për kuqezinjtë, të cilët kanë patur një mundësi për të kaluar në avantazh pas tri minutash lojë, por gjuajtja e Patrick Cutrone brenda zonës së rreptësisë ka përfunduar jashtë. Skuadra e Gattuso-s ka qenë pa fat në minutën e 18-të, teksa goditja e Castillejo është ndalur nga shtylla. Spanjolli ka provuar përsëri në minutën e 25-të, por këtë herë ka qenë portieri Sportiello që i ka mohuar golin.
https://twitter.com/ElevenSports_UK/status/1077902066926915587
Rasti i parë i vendasve ka ardhur në minutën e 30-të me Paolo Ghiglione-n, gjuajtja e të cilit është devijuar në një goditje nga këndi pas një ndërhyrje të jashtëzakonshme të Donnarumma-s. Ndeshja është zhbllokuar tetë minuta para fundit të pjesës së parë, me vendasit që kanë shënuar me Camillo Ciano, por goli është anuluar nga VAR për shkak të një faulli.
Pjesa e dytë ka filluar si e para, me Cutrone-n që ka humbur një tjetër rast në minutën e 52-të, teksa goditja e tij me kokë ka përfunduar sipër traversës. Ka qenë e saktë goditja me kokë e Romagnoli-t në minutën e 76-të, por Sportiello ka bërë një tjetër pritje shpëtimtare për Frosinone-n.
Rreziku i fundit i ndeshjes është krijuar nga vendasit, të cilët kanë shkuar shumë afër golit me Camillo Ciano, gjuajtja e të cilit është ndalur nga një tjetër pritje shpëtimtare e Donnarumma-s. /telesport/