Në ditën e djeshme është zhvilluar një ndeshje mes veteranësh. Bëhet fjalë për legjendat e Brazilit dhe atyre të Izraelit që po zhvillonin një sfidë për kënaqësi dhe bamirësi. Përtej rezultatit që në këto raste nuk ka rëndësi, ka bërë xhiron e rrjetit momenti kur gjyqtarja e sfidës, ndalon ndeshjen pa ndonjë arsye. Në fakt, arsyeja ishte Kaka.
Ish-mesfushori ishte në zotërimin e topit në mesfushë, kur gjyqtarja vendosi të ndalë lojën dhe ta ndëshkojë me karton të verdhë. Një veprim të cilin Kaka nuk e kuptoi, por më pas gjithçka u qartësua.
Pasi mbaroi punë me kartonin, arbitrja nxori nga xhepi i saj telefonin dhe përfitoi nga momenti për të shkrepur një selfie me legjendën braziliane.
Një situatë komike, ndërsa gjyqtarja mori edhe përgëzimin e futbollistëve të tjerë brazilianë për mënyrën se si ia doli të merrte një foto me Kaka. Kjo pasi nuk ndodh çdo ditë të jesh nga afër me një legjendë si ish-milanisti dhe për më tepër të ndash të njëjtën fushë. /VipSport/