Sindrit Guri do të luajë në Belgjikë me KSV Oostende sezonin e ri futbollistik, ndërkohë që sulmuesi shkodran e ka nisur mirë, teksa ka shënuar dy gola në ndeshjen e tij debutuese, por përballë skuadra e tij ka pasur Zwevezele.

Një ekip amator, që vjet ka garuar në ligën e gjashtë. Sulmuesi bëri detyrën duke e përmbysur rezultatin në fund dhe Oostende triumfoi me rezultatin 2-1.

Guri u aktivizua në pjesën e dytë, kur u ndërrua e gjithë skuadra. Shkodrani ishte goxha aktiv dhe iu afrua disa herë golit, por herë portieri e ndaloi, e herë ishte i pasaktë.

Goli i parë ishte i thjeshtë, pasi realizoi me portën e boshatisur, ndërsa te goli i dytë shkodrani tregoi pak nga klasi i tij, teksa pas një krosimi goditi fort fluturimthi dhe gjeti rrugën e rrjetës.

Guri shpreson të bëjë mirë në këtë eksperiencë të re në Belgjikë, pasi edhe Oostende e ka marrë si sulmuesin kryesor të skuadrës dhe për të janë paguar 710 mijë euro te klubi i Kukësit.

Shkodrani e sheh si një “trampolinë” për karrierën e tij këtë lëvizje dhe do të bëjë maksimumin ta shfrytëzojë.

NUMRI – Ajo çka binte tjetër në sy në ndeshjen e djeshme te Guri ishte numri në fanellë.

Te Kukësi ai ka mbajtur fanellën me numër 9, ndërkohë që sa duket te belgët ky numër është i zënë dhe sulmuesi do të mbajë fanellën me numër 95.

Një numër i çuditshëm, që vetëm Guri mund ta sqarojë pse e ka zgjedhur. Ndodh që vendoset ndonjëherë dy shifrat e fundit të vitit të datëlindjes, por Guri ka lindur në vitin 1993. /EDS/