Golat me penallti janë zakonisht ‘golat qyl’ që konsiderohen ndryshe por në fakt shpesh herë futbollistët kanë menduar që edhe këto gola, t’i kthejnë në një art më vete.

Pas ‘panenkës’ së famshme që tashmë është kthyer në modë edhe nga portierët si rasti i Alban Hoxhës, nga Spanja vjen një tjetër risi sa i përket penalltive të shënuara.

Sulmuesi i Atletik Bilbaos, Aritz Aduriz ka arritur të shënojë mbrëmjen e djeshme një supergol në penallti. Në barazimin që skuadra e tij mori ndaj Valadolidit në shtëpi me rezultatin 1-1, ai arriti të kthente në kryevepër penalltinë e minutës së 45.

Ai vuri topin te pika e bardhë dhe menjëherë ka goditur, pa marrë vrull fare teksa të gjithë kanë mbetur të habitur nga goli i shënuar që me siguri, tani do të kthehet në modë për futbollistët e tjerë. Mbetet të shihet, kur do të përsëritet goli i radhës. /VipSport/

PENALLTIA