Presidenti i Vllaznisë femra, Lazer Matija ka dalur sot në konferencë për shtyp për prezantimin e trajnerit të ri. Numëri një i vajzave kuqeblu ka folur për ndryshimet në stafin teknik, merkaton që ka zhvilluar ekipi dhe po ashtu objektivat. Ku ambiciet ngelin gjithmonë të mëdha për skuadrën më të suksesshme në vendin tonë.,

Matija tha: “Jemi sot këtu para gazetarëve dhe komunitetit të sportit dhe veçanërisht të futbollit në Shkodër për të zyrtarizuar disa lëvizje në staf tek Vllaznia. Trajner i ri i skuadrës do jetë Haris Lika. Një trajner i ri në moshë, por që ka eksperiencë në drejtimin e skuadrave. Shoh tek ai dëshirë dhe grintë për të bërë mirë, mentalitet që shkon paralel me atë që ka klubi.

Në rolin e drejtorit teknik do jetë Nikolin Leka. Njeriu i sukseseve të mëdha tek kjo skuadër dhe kontributi i tij patjetër që do vlerësohej nga ana e jonë. Kështu që kemi vendosur t’i japim një rol të ri, i cili po ashtu ka përgjegjësitë e veta. Ky do jetë stafi i ri teknik për sezonin e ri, ku së bashku do jetë edhe trajneri i portiereve, Fabiol Rexhepi.

Merkato ? Kemi sjellë këtu elementë nga Kosova, Brazili dhe SHBA. Do jenë 9 lojtare të reja që do i bashkohen skuadrës, duke nisur që nga ndeshjet paraeleminatore të Champions League. Patjetër puna jonë nuk mbaron me kaq sepse jemi në kërkim të elementëve të tjerë cilësorë për të përforcuar sa më shumë ekipin.

Objektivi ? Duam gjithmonë të përmirësohemi ashtu siç kemi bërë vit pas viti. Por duhet ti marrim me rradhë gjërat, fillimisht kemi ndeshjet kualifikuese. Pastaj për të tentuar të hymë në 32 skuadrat më të mira në Europë e po ashtu për të tentuar të hymë në 16 më të mirat. Ashtu siç bëmë historinë në sezonin e shkuar, do duam ta përsërisim sërish, por duke i marrë hapat një e nga një.”
Endri ÇINARI